Emine Arifi Bakalli
Emine Arifi Bakalli ishte historiane, profesoreshë universitare dhe studiuese shqiptare nga Kosova, e njohur për kontributin e saj në historiografinë moderne dhe bashkëkohore shqiptare me fokus studimet në marrëdhëniet shqiptare-serbe në Kosovë.[1]
Emine Arifi Bakalli | |
|---|---|
| Lindi | 10 tetor 1951, Ferizaj |
| Vdiq | 3 gusht 2024 |
| Kombësia | Shqiptare |
| Profesioni | Historiane, profesoreshë universitare |
❏ Jeta e hershme dhe arsimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Emine Arifi Bakalli u lind më 10 tetor 1951, në Babush i Muhaxhirëve, afër Ferizajt, në një familje muhaxhirësh (shqiptarë të dëbuar me dhunë nga trojet e tyre gjatë ngjarjeve të viteve 1877–1878). Shkollimin fillor më 1966 dhe atë të mesëm më 1970, i kreu në Prishtinë.[2] Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, ajo studioi histori në Katedrën e Historisë të Fakultetit Filozofik të Universiteti i Prishtinës, ku diplomoi në vitin 1974. Në të njëjtin universitet përfundoi studimet pasuniversitare, duke fituar gradën magjistre e shkencave më 1977 dhe doktoruar poashtu në fushën e historisë në vitin 1984.[3]
❏ Veprimtaria profesionale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Emine Arifi Bakalli ishte ndër pedagoget e para të Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëroi lëndët në studimet themelore: “Histori e Popullit Shqiptar IV”,“Histori Bashkëkohore Shqiptare” dhe “Histori e Integrimeve Evropiane”, ndërsa në studime master, ligjëroi lëndët: “Historiografi Shqiptare e Shekullit XIX-XX” dhe “Historia e Kosovës 1912-2008”. Ajo ka ndikuar në formimin e shumë brezave të studentëve të historisë, duke i mentoruar gjatë studimeve të doktoratës, masterit dhe bachelorit.[3]
Gjatë viteve 1980–1990, ajo ishte aktive në mbrojtjen e autonomisë së Universitetit të Prishtinës, duke kundërshtuar masat e dhunshme dhe ndërhyrjet politike të regjimit të Slobodan Millosheviqit në sistemin arsimor në Kosovë.[4]
❏ Angazhimi institucional dhe shoqëror
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përveç veprimtarisë mësimore, Arifi-Bakalli u angazhua në procese të rëndësishme reformuese në arsimin e lartë në Kosovë. Ajo ishte pjesë e grupit të ekspertëve për hartimin e planeve dhe programeve mësimore të historisë në kuadër të reformave arsimore. Kontributi i saj lidhet gjithashtu me përpjekjet për ruajtjen dhe avancimin e institucioneve arsimore në gjuhën shqipe në kushte të presionit politik dhe institucional gjatë periudhës së viteve 1981–1999.[3]
❏ Kontributi shkencor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Emine Arifi Bakalli ishte historiane e shquar, e cila ka arritur rezultate të rëndësishme në fushën e historisë. Ajo ka zhvilluar me përkushtim të veçantë kërkime shkencore, të cilat janë fokusuar në historinë e shqiptarëve mes dy luftërave botërore. Në studimet e saj, ajo ka trajtuar aspekte ekonomike, si dhe marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe jugosllavëve. Më tej, vëmendje të veçantë i ka kushtuar pozitës politike të shtetit shqiptar në kuadrin ballkanik dhe evropian. Gjithashtu, ajo ka analizuar edhe marrëdhëniet italo-shqiptare dhe italo-jugosllave. Një interes të veçantë, prof. Arifi Bakalli i ka kushtuar edhe gjendjes së popullit shqiptar brenda Mbretërisë së Jugosllavisë.[3]
❏ Veprat
Emine Arifi Bakalli ka botuar këto monografi:
o Marrëdhëniet ekonomike shqiptaro-jugosllave 1929-1939 - (1997)
o Përballje historiografike – (2015)
o Çështje nga historia moderne dhe bashkëkohore shqiptare; - (2012) dhe
o Drejt eliminimit të faktorit shqiptar në Ballkan; - (2023).[3]
❏ Artikuj shkencorë
Arifi Bakalli është autore e dhjetëra artikujve dhe kumtesave shkencore të publikuara në revista dhe konferenca shkencore vendore dhe ndërkombëtare. Ndër to përfshihen:
· “Përballja e Shqipërisë me pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi 1935” - (2023)
· “Qëndrimi i Shqipërisë ndaj sanksioneve të Lidhjes së Kombeve kundër Italisë fashiste 1935”- (2023)
· “Kryengritja e Fierit” si shkak i kthesës negative në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave” – (2023)
· “Programi i Zoran Gjingjiqit për Kosovën apo programi serb për Kosovën” - (2023)“Porositë e Mbretit Zog drejtuar Jugosllavisë apo premisat për marrëdhënie të mira fqinjësore shqiptaro-jugosllave” - (2024).[5]
❏ Referenca
- ↑ Gazeta Express, Hoxhaj për vdekjen e historianes Emine Arifi Bakalli: Një grua model në emancipimin e gruas shqiptare, 04.08.2024.https://www.gazetaexpress.com/hoxhaj-per-vdekjen-e-historianes-emine-arifi-bakalli-nje-grua-model-ne-emancipimin-e-gruas-shqiptare/
- ↑ Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të trojeve shqiptare, (Koha: Prishtinë, 2015), 330-331.
- 1 2 3 4 5 Shkodran Imeraj and Alban Dobruna, “In Memoriam Prof. Dr. Emine Arifi-Bakalli (1951–2024),” Kosova 49 (2024), 355–357.
- ↑ Albanian Education, Vdes profesoresha e UP’së, Emine Arifi – Bakalli, 3 gusht 2024.https://albanianeducation.net/vdes-profesoresha-e-upse-emine-arifi-bakalli/
- ↑ Emine Arifi - Bakalli's scientific contributions.https://www.researchgate.net/scientific-contributions/Emine-Arifi-Bakalli-2267879393
